Transmetuar më 15-12-2017, 10:32

Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti thotë se sipas një studimi të kryer së fundmi, gjysma e mostrave të qumështit vendas dolën me aflatoksinë, një substancë kancerogjene e fuqisë shumë të lartë.

Përmes një statusi në rrjetin e tij social Facebook, Panariti thotë se ky është një megaskandal dhe i bën thirrje ministrisë së Bujqësisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të bllokojnë prodhimin dhe të tërheqin urgjent nga tregu këto produkte.

“Ose një megaskandal, ose një supermashtrim!! Mbetet për tu parë.?! .. Para disa ditësh në një studim të AFI, gjysma e mostrave të qumështit vendas të analizuara dolën me aflatoksinë. Aflatoksina është substancë kancerogjene e fuqisë shumë të lartë, e pa zbërthyeshme dhe rezistente ndaj përpunimit termik. Prania e saj në qumësht dhe nënprodukte është rrezik shumë i madh për shëndetin e konsumatorit.

MB dhe AKU duhet të bëjnë urgjent publike fermat apo subjektet prodhuese të ushqimeve të ndotura, të bllokojnë prodhimin dhe të tërheqin urgjent nga tregu produktet e pëlyera. Sa më parë dhe menjëherë”m shkruan Panariti.

Gjithashtu ai kërkon që të bëhen publike analizat dhe Prokuroria të nisë hetimet.

“Ndërkohë AFI të bëjë publike rezultatet e analizave, metodat e analizës dhe laboratorët e referencës që i kanë kryer ato. Nëse kjo nuk ndodh atëherëë prokuroria të nis hetimin e menjëhershëm dhe të përcaktojë përgjegjësitë ose eventualisht mashtrimin siç ka ndodhur më parë në dëm të prodhuesve vendas, për të favorizuar importet”, përfundon Panariti./b.l/noa.al/