Transmetuar më 13-12-2017, 12:02

Pas Partisë Demokratike, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka konfirmuar mospjesëmarrjen në seancën dëgjimore të Kuvendit me 7 kandidatët për Kryeprokuror të ri.

Ka qenë vetë kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e cila në një bashkëbisedim me gazetarët ka bërë të ditur qëndrimin e kësaj force politike dhe arsyen e mospjesëmarrjes.

" Komisioni i ligjeve sot është totalisht i paligjshëm, dëgjesat i bën Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, tha Kryemadhi.

Sa i përket deklaratave të ambasadorëve të SHBA e BE për Kryeprokuror të përkohshëm, ajo tha se asnjë nga diplomatët e huaj në vendin tonë nuk ka kërkuar shkeljen e Kushtetutës.

“Ambasadorët e huaj që janë në Shqipëri janë të detyruar të bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare, por edhe me opozitën. Jam e bindur që asnjë ambasador nuk ka propozuar shkeljen e Kushtetutës sonë. Nuk janë ambasadorët problemi i Shqipërisë, por jemi në klasa politike që kërkojmë t’i përfshijmë në problemet tona." theksoi kryetarja e LSI (e.c/noa.al)