Transmetuar më 07-12-2017, 11:17

Mbrëmjen e djeshme Kryeministri Edi Rama i bëri një ftesë Partisë Demokratike dhe kreut të saj Lulzim Basha, për bërjen e një pakti, me synim konsensusin për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës.

Por Partia Demokratike vjen me një reagim ditën e sotme, nëpërmjet një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi ku radhit arsyet se pse procedura e nisur nga Kuvendi është antikushtetuese.

Fakti i parë- Kushtetuta e thotë qartë: Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo kompetencë e KLP parashikohet në pikën 2 të nenit 148/c të Kushtetutës, ku thuhet se “Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.

PD vlerëson se deri në ngritjen e KLP-së dhe plotësimit të boshllëkut kushtetues dhe ligjor është e pamundur që Kuvendi të marrë kompetencën e një institucioni të pavarur të drejtësisë.

PD shprehet se ajo nuk ka qëndrim përfundimtar për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit nga 5 në 7 vjet të Prokurorit të Përgjithshëm. Përgjigjen për këtë dilemë nuk mund ta japë politika, por e jep vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë si institucioni i vetëm që deklaron mbarimin e mandatit.

PD vëren se një situatë të ngjashme për Inspektorin e Lartë te Deklarimit të Pasurive, kjo mazhorancë e zgjidhi duke ia zgjatur mandatin nga 5 vjet që e kishte me ligjin e vjetër, në 7 vjet me ligjin e ri. PD i sjell në vëmendje mazhorancës se nuk mund të bëjë interpretime të ndryshme të një situate të njëjtë në varësi të qëllimit të saj për të kontrolluar politikisht zyrtarin përkatës.

Fakti i dytë- Neni 109 i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm pasi ai parashikon zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshsëm vetëm kur Prokurorit në detyrë i ndërpritet mandati para kohe. Aktualisht nuk ekziston një rrethanë e tillë. Edhe nëse do të ishim në rrethanat e ndërprerjes së mandatit, neni 109 për Prokurorin e Përkohshëm, përcakton se duhet të përmbushen dy kushte:

1-Kandidatët për Prokuror të Përkohshëm të Përgjithshëm duhet të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut.

2- Kryeprokurori i Përkohshëm zgjidhet me votat e 3/5 e anëtarëve të Kuvendit.

 Në përfundim, PD shprehet se duhet të merret vlerësimi/opinioni i Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e boshllëkut/ngërçit kushtetues apo ligjor.

Po ashtu nënvizohet se deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues dhe ligjor apo deri në krijimin e KLP, është e pamundur që të procedohet me zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, qoftë ky edhe i përkohshëm.

Në mbyllje thuhet se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet i përfunduar vetëm nga KLP dhe neni 109 është i pazbatueshëm. Për këtë shkak PD kërkon nga mazhoranca ndërprerjen menjëherë të procedurës që ka nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

PD thotë se “Çdo veprim i kundërt nga mazhoranca do të ishte provë e qartë e vullnetit të saj të hershëm për kapjen politike të organeve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë”.

Nga ana e tij kreu i qeverisë në ftesë thoshte se momenti kur diskutohet për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, është momenti i duhur për të diskutuar, jo thjesht daljen nga situata e fundmandatit të prokurorit në detyrë dhe hyrjen në fazën e një mandati të përkohshëm me një prokuror të përkohshëm, po nisjen e një faze të re bashkëpunimi mes qeverisë e opozitës në vigjilje të vendimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.”

Sipas Ramës, “kjo do të ishte rruga më e arsyeshme për të mos përdorur kartonat e shumicës së thjeshtë në çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe për të mos i lënë asgjë mangut përpjekjes për t’i çelur negociatat për anëtarësim.” /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd