
“Nëse Shqipëria vazhdon rrugën e progresit të treguar deri më tani, në Pranverë mund të hapë negociatat me BE-në” Deklarata e fortë ka ardhur nga Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Cloude Juncker në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama.
Pas takimit dy krerët dolën ë një konferencë për shtyp, ku Juncker theksoi se është i kënaqur me rezultatet dhe progresin e treguar deri më tani nga vendi ynë.
Ai shprehu bindjen dhe mbështetjen se nëse vijohet në këtë rrugë, brenda tre muajve Shqipëria do të rekomandohet si vend për çeljen e negociatave për anëtarësim.
“Folëm për progresin që Shqipëria ka bërë. Jemi të lumtur me atë që po ndodh në Shqipëri. Kam besim se këto muaj do vijojnë reformat. Unë jam i impresionuar nga progresi dhe mendoj se nëse vijojnë kështu dy tre muajt e ardhshëm ne do të jemi shumë pranë të rekomandojmë Shqipërinë”, tha Presidenti i KE-së.
Juncker nuk fshehu edhe dëshirën që vitin tjetër të vizitojë Shqipërinë.
“Kam qëllim të vizitoj Shqipërinë vitin e ardhshëm. Ia thashë këtë personalisht Ramës por do e them publikisht”, tha Juncker.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se muajt e ardhshëm do të jenë thelbësorë për të pasur mundësinë për të hyrë në një fazë të re.
“Jam krenar që kam arritur në Bruksel me rezultate të prekshme. Ajo që mund të them në fund është se e lë Brukselin me bindjen se rezultate më të prekshme na presin. Sfida na presin”, theksoi Rama. (e.c/noa.al)