Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel u takua me Presidentin e Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul.
Kryetari i opozitës ndau me Presidentin e PPE, shqetësimin se sipas tij mbrojtja politike, përmes imunitetit parlamentar, e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, dështimi i policisë për të arrestuar tre ish drejtues të lartë të saj për të njëjtën dosje droge, si dhe përpjekja për të emëruar një Prokuror te Përgjithshëm vetëm me votat e PS, janë veprime te qeverisë për të penguar drejtësinë dhe që minojnë shanset e vendit për integrim europian.
Me Presidentin Daul u bisedua edhe rreth shqetësimit të shumë vendeve anëtare të Bashkimit Europian në drejtim të hapave që vend ynë duhet të ndërmarrë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kreu i PD tha se interesi më i mirë i shqiptarëve është nisja e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por sipas tij, kërcënimi dhe pengesa kryesore mbetet kriminalizimi i politikës dhe ekonomisë së vendit.
Për të avancuar projektin europian të vendit opozita, tha Basha, ka parashtruar si zgjidhje politike krijimin e një qeverie antimafia, që do të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën, do të përgatisë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe do ta çojë vendin me sukses drejt një qeverie legjitime përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Basha e falenderoi Presidentin e PPE-së Joseph Daul si një nga zërat e parë të Europës që denoncoi kriminalizimin dhe fenomenimin e kanabizimit të Shqipërisë.
Presidenti Daul i garantoi Lulzim Bashës mbështetje të plotë të PPE-së për Partinë Demokratike si alternativë qeverisëse. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd