Transmetuar më 05-12-2017, 12:04

Ish-presidenti i Gjeorgjisë dhe ish-guvernatori i Odesës, Mikheil Saakashvili, u arrestua nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, në Kiev. Më herët ish presidenti kishte hipur mbi çatinë e banesës së tij dhe kërcënonte se do të hidhej nëse prekej nga policia, e cila kishte shkuar për kontroll.

Zëdhënësja e këtij shërbimi, Olena Hitlyanska, i tha Radios Evropa e Lirë se bastisja në apartamentin e Saakashvilit është kryer së bashku me hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo nuk dha detaje për arsyen e bastisjes.

Bastisja u bë dy ditë pasi Lëvizja e Forcave të Reja e Saakashvilit ka organizuar një tubim masiv në Kiev, duke kërkuar shkarkimin e presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko.

Protestat fillimisht janë thirrur nga Saakashvili, dikur aleat i Poroshenkos, por atyre u janë bashkuar më pas shumë liderë të partive politike opozitare.

Në vitin 2015, ai është emëruar nga Poroshenko guvernator i rajonit Odesa dhe ka dorëzuar shtetësinë gjeorgjiane për të marrë postin.

Megjithatë, Saakashvili ka dhënë dorëheqje në nëntor, 2016, duke thënë se përpjekjet e tij për reforma janë bllokuar nga aleatët e Poroshenkos.

Saakashvilit më pas i është marrë shtetësia ukrainase nga Poroshenko – vendim të cilin Saakashvili e ka sfiduar në gjykatë.

Poroshenko tha se qëllimi i vërtetë i organizatorëve të protestave është të destabilizojnë Ukrainën.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd