Transmetuar më 01-12-2017, 18:00

Zonat më të prekura nga përmbytjet e këtyre dy ditëve do të kenë qendra shëndetësore 24-orëshe. Lajmi bëhet i ditur nga ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku qendrat shëndetësore do të jenë në ato zona ku rreziku është më prezent.

“Përpos shërbimit spitalor dhe urgjencës kombëtare, nga ky moment, ka nisur funksionimi I qendrave shendetesore me shërbim 24 orësh në qarkun e Fierit, konkretisht qendrat shëndetësore Frakull, Mbrostar, Topojë, Levan, Derven si dhe qendra shëndetësore në Bashkinë Roskovec dhe Strumë, ku po shërbejnë 32 mjekë, 113 infermierë dhe 7 ndihmës epidemiologë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Vlora dhe Gjirokastra janë dy qarqe të tjera që kanë vuajtur pasojat e motit të keq, ku edhe në këto zona po ngrihet shërbim 24 orësh shëndetësor.

Situata vijon të jetë kritike, por më e keqja ende nuk ka kaluar, sipas parashikimeve. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd