Transmetuar më 01-12-2017, 14:35

Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për vjedhje. Burime policore bëjnë me dije se të arrestuarit në sajçë të operacionit të koduar “Stuhia” janë: Ardit Elezi, 21 vjeç, dhe Adrian Prela, 19 vjeç, banues në Kamëz.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e bashkëpunëtorëve të tjerë M.Gj., 34 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtim mjeti pa dëshmi”, L.E., 28 vjeç, dhe D.T., 22 vjeç, të tre banues në Kamëz.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin vidhnin sende të ndryshme, goma automjetesh me gjithë disqe, vegla pune dhe i shisnin ato në treg me qëllim përfitimi vlerash monetare.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Ardit Elezit dhe L.E., janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura: Goma automjetesh me gjithë disqe, trapan, sharra, çantë me vegla pune, si çelësa të llojeve të ndryshme.

Si dhe u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale mjetet që përdornin për realizimin  e veprave penale: një armë zjarri pistoletë tip beretta, 4 fishekë model 7.65, 2 maska, 2 palë doreza,1 palë gërshërë dryn prerës, 1 xhup lëkure me ngjyrë të zezë, 1 palë tuta me ngjyrë blu të errët me viza të bardha.

Në vijim të veprimeve hetimore rezulton se shtetasit L.E., dhe D. T., janë bashkautorë të ngjarjes të ndodhur më datë 6 nëntor 2017, në rrugën “Bulevardi Blu”, ku dy persona te paidentifikuar nën kërcënimin e armës së dyshuar kanë tentuar të vjedhin kasafortën e një karburanti.

Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor e të tjera vjedhjeve që këta shtetas mund të kenë kryer. Materialet  iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim, “mbajtje pa leje të armëve”. /b.l/noa.al./ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd