Transmetuar më 01-12-2017, 14:21

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pas përmbytjeve masive në vend.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili shprehet pse qeveria pret akoma, në një kohë kur sipas tij, Shqipëria po përballet me një situatë të vështirë.

“Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Ç’pret akoma qeveria?! Shqipëria po përballet me një situatë shumë të rëndë në të gjithë territorin me rreziqe shumë të mëdha për pronën dhe shëndetin e qytetarëve. Qeveria nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Çfarë pret?”, shkruan Vasili.

Më tej Vasili ka theksuar se situata po rëndohet orë pas ore dhe sipas tij, kryeministri duhet të jetë në ballë të shtabit të emergjencës dhe të marrë e të ushtrojë përgjegjësitë e tij kushtetuese, politike dhe qytetare, që nga zyra e deri në drejtimin në terren.

“Kryeministri nuk mund të jetë komentator. Të shpallet menjëherë gjendja e jashtëzakonshme. Koha nuk pret. Mijëra qytetarë presin dorën dhe mbështetjen e shtetit”, përfundon Vasili. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd