Transmetuar më 30-11-2017, 12:28

Në seancën e sotme parlamentare ku diskutohet buxheti i vitit 2018, Kryeministri Edi Rama tha se amendamentet e opozitës për buxhetin provojnë katërcipërisht atë që njerëzit dinë dhe dëgjojnë përditë, që PD nuk ka asnjë vizion alternativ për Shqipërinë.

Sipas tij, PD nuk ka asnjë ide tjetër përveç ideve të saj të vjetra të shkruara në programin elektoral të vitit 2005 dhe të rezultuara thjesht dëshira të natyrës elektorale për tetë vjet me radhë në qeverisjen e vendit.

Rama tha se është një paketë propozimesh që bazohet te programi elektoral i vitit 2005 të PD, duke nënvizuar se është e hatashme të shikosh se si një grup parlamentar që i bie të jetë i katërti në radhë pas 2005, vjen dhe i propozon Kuvendit ide të vitit 2005.

Në këtë linjë tha se janë zgjidhje të propozuara në programin e 12 viteve më parë, të cilat gjatë zbatimit të programit qeverisës rezultuan zgjidhje pa kthim.

Rama deklaroi se po të merren me radhë shihet se PD rreh ujë në hava dhe se propozimet nuk kanë asnjë lidhje me rrjedhën ekonomike të vendit, por se janë sa për të larë gojën.

“Dhe me që jemi të zënë akuza, me që na doli buxheti përpara, po bëjmë dhe ne ca propozime që të themi se jemi gjallë akoma. PD është në një agoni që vazhdon dhe që nuk ka asnjë shenjë se mund të përballohet për ta nxjerrë PD në dritën e jetës reale dhe për ta bërë PD një forcë që propozon, një forcë që ka një vizion alternativ me tonin, qasje dhe filozofi qeverisje të ngjashëm me tonin, asgjë, zero”, u shpreh Rama.

Në këtë linjë shtoi se mjafton të shihen të gjitha propozimet dhe të bëhet një kalkulim shumë i thjeshtë, ku siç tha Kryeministri, janë propozime të papërgjegjshme që nuk marrin në konsideratë as kuadrin e sotëm ekonomik e financiar, por thjesht rreshtojnë njëra pas tjetrës një listë qesharake muhabetesh për t’ua hedhur shqiptarëve.

Rama tha se në tërësinë e tyre propozimet janë aritmetikisht rritje e menjëhershme e borxhit me 10% dhe rënie e menjëhershme e 710 milionë dollarëve të ardhura në buxhetin e shtetit.

“Ndërkohë që ne me buxhetin e ulim borxhin, ju vini këtu me një listë propozimesh që e çon borxhin në 79%. Vijojnë me radhë propozimet te kthimi te taksa e sheshtë e Saliut, si në programin e 2005, taksimi njësoj i të mëdhenjve dhe të vegjëlve”, deklaroi Rama.

Lidhur me propozimin e PD për shpërblimin e pensionistëve, ai tha se opozita del bllof, pasi mazhoranca e ka parashikuar në buxhet shpërblimin e tyre. /a.y/noa.al

Zbardhen 16 propozimet e PD, nga taksa e sheshtë 9% tek ulja e çmimit të karburantit

Basha: Ndalojmë pr/buxhetin e parave të pista, amendamente në parlament