Pasi i doli emri se kishte udhëtuar me makinën që Saimir Tahiri i shiti fisit Habilaj, ish- zëvendës ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea bën kërkesë në prokurori.
Ajo ka kërkuar me vullnetin e saj të japë sqarime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me dyshimet se ka udhëtuar me makinën e Habilajve.
Gjebrea ka kërkuar të shpjegojë itinerarin e udhëtimit që bëri në Greqi në vitin 2014, pas dyshimeve nga prokuroria se ka udhëtuar me "Audin", makinën e ish-ministrit shitur vëllezërve Habilaj të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Dyshimet lindën pas gjurmimit në sistemin TIMS, ku rezulton se me datë 8 gusht 2018, Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea, kanë udhëtuar në drejtim të Greqisë, nëpërmjet portit të Sarandës.
Tetë ditë më vonë, me 16 gusht, në harkun kohor të tre katër minutave, ministri dhe zëvendësja e saj, kanë hyrë në territorin shqiptar, përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Botës.
Burimet thonë se Saimir Tahiri drejtonte makinë tip Audi me targa AA 003 GB, të cilën dy muaj pasi mori detyrën e ministrit të Brendshëm ua kishte shitur vëllezërve Habilaj.
Drejt Greqisë me ketë makinë, rezulton të ketë udhëtuar me 14 gusht 2014, Artan Habilaj, duke ia dorëzuar atje Tahirit, i cili e ka drejtuar në kthim.
Deri më tani, Gjebrea i ka cilësuar sajesa akuzat se ka udhëtuar me makinën e Habilajve, por para prokurorëve, pritet të shpjegojë të gjithë itinerarin e udhëtimit të kryer drejt Greqisë, gushtin e 2014. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd