Transmetuar më 28-11-2017, 15:11

Ndërsa deri më tani e keni ndjerë apo jo të ftohtin dhe acarin e dimrit, pikërisht fundi i nëntorit do të japë “goditjet” e motit.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit paralajmëroi ditën e sotme, se duke nisur nga 30 nëntori do të ketë përmbytje të mëdha.

Përgjatë datave 30 nëntor dhe deri në 2 dhjetor priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa.

Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë. Nga llogaritjet paraprake këto reshje priten të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në qytetet kryesore Tiranë, Lezhë, Durrës, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër.

Qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora. Ka mundësi të lartë për përmbytje në basenet e lumenjve Vjosa dhe Seman. Gjithashtu edhe lumi Shkumbin mund të shfaqë përmbytje përgjatë fundit të ditës së premte 1 dhjetor.

Ky informacion është paraprak nga IGJEUM, për arsye se llogaritjet po vazhdojnë dhe afati i këtij buletini është vetëm për 36 orët në vijim. Shenjat e alarmit nga përmbytjet do të vendosen sipas llogaritjeve në buletinin e ardhshëm.

Nga këto llogaritje rezulton se, nëse parashikimi i reshjeve del i saktë, në pjesët fushore të këtyre lumenjve ka mundësi përmbytje me pasoja të rënda, mijëra hektarë tokë e përmbytur dhe mijëra njerëz të prekur, nga përmbytjet. Ky informacion do të përditësohet në momentin e përfundimit të llogaritjeve, por jo më vonë se dy ditë para ndodhjes së përmbytjes.

Efektet e rëndësishme të përmbytjeve në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier do të ndodhin në pjesën e parë të ditës së shtunë, 2 dhjetor 2017. Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve në qarqet Gjirokastër, Berat, Elbasan përmbytjet mund të ndodhin përgjatë ditës së premte, 1 dhjetor

Parashikimi Meteo:

RESHJE

Sot pasdite, e martë, 28 nëntor nuk priten reshje, ndërsa nesër e mërkurë, datë 29 nëntor priten reshje në të gjithë territorin kryesisht pasdite dhe gjatë natës.

Temperaturat

Nesër, e mërkurë 29 nëntor, temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 3 °C / 12 °C

në vendet e ulëta: -2 °C / 12 °C

në vendet malore: -6 °C / 6 °C.

Era: Sot pasdite dhe nesër pritet të fryjë mesatare në të gjithë territorin. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd