Transmetuar më 27-11-2017, 20:43

Një incident që ka parë për protagonistë Policinë Bashkiake të Kamzës dhe disa persona para dhe tetraplegjikë ka ndodhur këtë të hënë.

Ngjarja është regjistruar gjatë paradites, ku dhjetëra persona para dhe tetraplegjikë janë mbledhur përpara Bashkisë së Kamzës, për të kërkuar një takim me kryebashkiakun Xhelal Mziu.

Ata mësohet se kërkonin të diskutonin me Mziun në lidhje me pensionet dhe pagesën e plotë të taksave dhe pse duhet të përjashtohen.

Por si duket vendimi i kryebashkiakut të Kamzës për të mos i pritur, ka shërbyer si shkak për agravimin e situatës mes qytetarëve dhe policisë përpara Bashkisë.

Madje situata në një moment ka degraduar deri në përdorimin e dhunës nga ana e policisë e cila i ka larguar ata me forcë.

I gjithë ky moment është regjistruar në video, e cila është publikuar nga nisma "Thurje", ku thuhet madje se Mziu kishte dhënë urdhër që t’i dhunonin.

"Kryetari nuk na priti dhe në shenjë revolte bllokuam derën e institucionit sepse ai ishte aty dhe fare mirë mund të vinte e të fliste me ne pak minuta për të na dëgjuar. Jo vetëm që nuk erdhi por dha urdhër që të rriheshim. Siç duket në pamje policia njërin e hodhi në shesh e mua tentuan por nuk ja dolën dot. Këta janë të fortë me ne dhe lepuj me ata që shkelin ligjin. Turp! Sokol Murataj" thuhet ndër të tjera në denoncimin e bërë publik.(e.c/noa.al) 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd