Transmetuar më 27-11-2017, 20:06

Është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur në moshën 40 vjeçare, gazetari dhe shkrimtari i njohur italian Alessandro Leogrande.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane sipas të cilave, gazetari i njohur vdiq një ditë më parë në shtëpinë e tij.

Paraprakisht dyshohet se shkak i vdekjes së papritur të ketë qenë një atak kardiak. Megjithatë do të jetë autopsia që do të tregojë shkakun e vërtetë të ngjarjes së rëndë.

Leogrande sapo ishte kthyer nga një aktivitet në Campi Salentina, në provincën e Leçes. Por emri i tij është i njohur edhe në Shqipëri pasi gjatë karrierës së tij i ka kushtuar një libër emigrantëve shqiptarë të titulluar,"Kateri i Radës" ose i njohur ndryshe si "Titaniku i shqiptarëve", që ka të bëjë me mbytjen e një anije me emigrantë shqiptarë në vitin 1991 në rajonin e puljas.

Jo vetëm kaq por në shumë shkrime të tij, ai ja dedikonte vuajtjes, varfërisë dhe peripecive që kaluan emigrantët shqiptarë në shtetin fqinj në vitet e errëta të tranzicionit.

I lindur në Taranto, ai u diplomua në filozofi në Universitetin e Romës, ndërsa angazhimet e tij në gazetari i nisi në " Primavera Radio-Radio Popolare Salento".

Gjatë karrierës së tij ai ka qenë zv/drejtor i revistës së njohur "Straniero" ndërsa ka shkruar për  "Corriere del Mezzogiorno" si dhe ka bashkëpunuar me "Rai Radio 3".

Muajt e fundit, ai kishte qenë në Argjentinë për të thelluar një rindërtim historik të diktaturave ushtarake që kanë ndjekur vendin latino-amerikan gjatë pesëdhjetë viteve të fundit. (e.c/noa.al) 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd