Transmetuar më 25-11-2017, 13:12

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është kundërvënë sërish Lulzim Bashës sa i takon kontratës së lidhur nga kryedemokrati me një kompani amerikane lobimi nën dyshimet se është fshehur burimi i financimit. Përmes një statusi në rrjetin e tij social Facebook, Balla ka pyetur Bashën se cili është burimi i atyre parave.

“Lulzim Basha po fshihet nga përgjegjësia ndaj shqiptarëve por edhe anëtarësisë së Partisë Demokratike, për të sqaruar skandalin ku e ka futur këtë parti. Sigurisht që fillimi i hetimeve nga Prokuroria mbi kontratën e paligjshme të Lulzim Bashës me një kompani të huaj, të paguar nga një burim i padeklaruar parash, është një detyrim ligjor. Por Lulzim Basha duhet të përgjigjet menjëherë se cili është burimi i atyre parave”, shkruan Balla.

Mes të tjerash socialisti i ka bërë kreut të KQZ, Klement Zgurit dhe administratës që të mos bëjnë asnjë regjistrim deklarimi shpenzime shtesë nga ana e subjektit politik PD, apo ndonjë falsifikim protokolli.

“Pse nuk i ka deklaruar ato para dhe ato pagesa në KQZ, dhe si kanë përfunduar në një parajsë fiskale? I bëj thirrje Klement Zgurit dhe administratës së KQZ të mos bëjnë asnjë regjistrim deklarimi shpenzime shtesë nga ana e subjektit politik PD, apo ndonjë falsifikim protokolli për gjoja deklarim të mëparshëm, sepse është vepër e rëndë penale, prishje e provave të veprës penale. Ku i ka gjetur Partia Demokratike dhe Lulzim Basha këto shuma marramendëse parash? 1 milion dollarë? Këta që flasin për ditë për para të pista e vota të blera, ku i kanë gjetur 1 milion dollarë?”, shton deputeti sociliast.

Më tej Balla ngre pyetjen pse Basha ka përdorur llogaritë e një kompanie offshore për të bërë pagesa në emër të Partisë Demokratike dhe cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP”, e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.

“Në emër të kujt janë regjistruar kompanitë offshore në Belizë? A ka dijeni Lulzim Basha se kush janë personat nga Shqipëria që kanë transferuar para në llogaritë e kompanive offshore në Belizë dhe më pas tek Binniatta Trade, për të përfunduar në pagesa për llogari të Partisë Demokratike? Kush janë lidhjet e Lulzim Bashës me këta persona?

A është financuar Partia Demokratike nga para të pista, nga persona të dyshuar për veprimtari kriminale? Kujtojmë edhe një herë se Lulzim Basha ,dhe askush tjetër, e di të vërtetën e përdorimit të vulës së kryetarit të PD për këtë makinacion financiar, që do të kishte tronditur çdo parti politike në çdo vend demokratik”, përfundon Balla.

Ditën e djeshme Prokuroria nisi hetimet për kontratën e lidhur me Bashën me këtë kompani amerikane lobimi, pasi ka dyshime se është fshehur burimi i financimit./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd