Transmetuar më 25-11-2017, 12:13

Një shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane pasi ka goditur me çelësa në kokë rivalin e tij në dashuri.

Sipas medieve italiane shqiptari i identifikuar si Aleks Hoxha, banor në Acerra përfundoi në burg për tentativë vrasje dhe për përndjekje.

"Il mattino" shkruan se 33 vjeçari shqiptar u fut në shtëpinë e ish-gruas së tij, ndërsa aty gjeti të dashurin e saj të ri.

Kur u përball me këtë skenë, shqiptari nuk e ka ruajtur dot qetësinë, dhe menjëherë ka nxjerrë një tufe me çelësa nga xhepi i xhupit dhe ka qëlluar të dashurin e ish-bashkëjetueses në sy të vajzës së tyre 4 vjeçare.

Ndonëse Hoxha tentoi të largohej nga vendngjarja, u kap nga policia teksa po hipte në automjetin e tij. Fill pas kësaj ngjarje gruaja denoncoi në polici makthin që kishte kaluar nga shqiptari në 12 muajt e fundit.

Në dëshminë e saj para togave të zeza gruaja kishte pohuar se prej një viti ajo ishte kërcënuar dhe përndjekur vazhdimisht nga Aleksi. Ky i fundit tashmë ndodhet pas hekurave dhe pritet të përballet me akuzat për tentativë vrasje dhe përndjekje.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd