Transmetuar më 24-11-2017, 21:36

“Tre ish-zyrtarët e lartë të policisë, tashmë të arratisur pas urdhër-arresteve ndaj tyre, nuk ndodhen në Shqipëri, por në vendet fqinje.”

Deklarata është bërë këtë të premte nga Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Studio e Hapur”.

“Unë mendoj se ata janë larguar që në momentin që filloi diskutimi për Tahirin në Parlament.  Personat janë njoftuar për tu larguar. Problemi është se sa policia do të jetë e aftë për ti lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar.  Unë kam përshtypjen se janë rreth Shqipërisë.” tha Kryemadhi

Sipas Kryetares së LSI-së, dekonspirimi i hetimit të Prokurorisë, dhe urdhër-arresteve ndahj tyre, është bërë që me publikimin e dosjes “Tahiri”.

Për Kryemadhin, zvarritja e arrestimit të Tahirit kishte për qëllim pikërisht fitimin e kohës që zyrtarët e Policisë të përfshirë të arratisen.

“Po të bëjmë një kthim mbrapa në kohë, çfarë ndodh e argumentin që ndodhi me imunitetin e Tahiri. Gjithë ajo zvarritje gjithë ajo paradë, ishte një fitim kohe që ju bë jo vetëm zotit Tahiri, por ju bë  të penduarit apo të implikuarëve.” theksoi Kryemadhi

Kujtojmë se ish-zyrtarët e policisë, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohilla ndodhen në kërkim nga policia që prej disa ditësh, pasi dyshohen si pjesë e trafikut të Habilajve.

Aksioni I policisë për kapjen e tyre u dekonspirua nga vetë uniformat, fakt ky i pranuar nga vetë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Për këtë aryse, ky i fundit depozitoi këtë të premte kallëzim penal ndaj atyre që dekonspiruan aksionin.(e.c/noa.al)

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd