Transmetuar më 22-11-2017, 17:29

Deputeti demokrat Tritan Shehu duke reaguar lidhur me Check up-i në shëndetësinë shqiptare është shprehur se ai shërben “vetëm për të maskuar tjetërsimin e fondeve të shëndetësisë”. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Shehu thotë se shëndeti i qytetarëve veçse dëmtohet si pasojë e varfërimit të mëtejshëm e të skajshëm të sistemit.

“Lexova një deklarim-pamflet të të majtëve për Check up-in e “shëndetin e dëmtuar”!! Guxim të “mbrojnë” spekulimin Check- up, që realisht vetëm po varfëron më tej sistemin tonë shëndetësor në mizerje.

Sajesë “sui generis” kjo, vetëm për të maskuar tjetërsimin e fondeve të shëndetësisë. Le të më tregojë dikush një model të tillë nga vendet e zhvilluara-ndoshta ekziston diçka në Afrikën Qendrore të varfër, ku çdo fond vetëm “rrëmbehet” nga “skifterët”, shkruan Shehu.

Më tej deputeti i PD shprehet nëse munden këta “avokatë” të këtij mega investimi spekulativ siç i quan ai, që me fondet publike, të tregojnë një material shkencor ku të dalin në pah kush kanë qenë përfitimet shëndetësore të popullsisë.

“A munden këta “avokatë” të këtij mega investimi spekulativ me fondet publike e pa rentabilitet klinik, të më tregojnë një material shkencor të publikuar ku të dalin në pah kush kanë qenë përfitimet shëndetësore të popullsisë, sa është ulur morbiziteti, vdekshmëria, kostoja spitalore etj etj nga ky i ashtuquajturi check-up.

Nuk ka asgjë të tille!. Harrova, ka një përfitueshmëri ky projekt, atë të përfitimit material nga ideatorët! Ndërsa shëndeti i qytetarëve veçse dëmtohet më tej si pasojë e varfërimit të mëtejshëm e të skajshëm të sistemit”, përfundon shkrimin Shehu. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd