Transmetuar më 22-11-2017, 14:20

Nga selia e Partisë Demokratike, deputeti Enkelejd Alibeaj nxori një dokument që sipas tij vërteton se biznesmeni nga Elbasani nuk kishte mundësi të bënte biznes me një kompani të huaj.

Sipas tij, eurot e gjetura në makinën e afaristit bashkë me patentat vërtetojnë edhe njëherë akuzat e ngritura nga opozita edhe më herët se paratë i takonin ish-ministrit të brendshëm”, u shpreh Alibeaj.

Më tej ai tha se Partia Demokratike nuk ka patur dyshim, që prej fillimit, se paratë i përkasin ministrit, i cili sipas tij po vazhdon përpjekjet për të fshehur provat që e akuzojnë për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Në deklaratën e tij Alibeaj hedh sërish akuza ndaj kryeministrit Rama se po bën gjithçka për të mbrojtur ushtarët e tij, të lidhur me krimin dhe drogën.

“Publikimi në media i pohimit të Ramës, para deputetëve socialistë, se gjetja e patentave në makinën e O.S., nuk është një fakt për të cilin ministri duhet të shqetësohet, është mesazh për pengimin e drejtësisë.

Edi Rama po e pengon drejtësinë edhe me rastin e Vangjush Dakos, i cili është regjistruar gjatë zgjedhjeve, duke u premtuar tenderë kriminelëve më të rrezikshëm të Durrësit në këmbim të blerjes së votave.

Heshtja e kryeministrit të vendit, për përfshirje në krimin e rëndë të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe blerjes së votës në shkëmbim të tenderave të dy bashkëpunëtorëve të tij, Tahiri dhe Dako, ka një qëllim: të fitojë sa më shumë kohë derisa ta kapë plotësisht Prokurorinë. Edi Rama po u jep atyre mbrojtje politike nga drejtësia, sepse, gjithçka dhe të gjithë, lidhen me Edi Ramën”, tha Alibeaj. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd