
Policia e Vlorës ka arrestuar një person pasi është kapur me 5 kilogramë kanabis, ndërsa janë vënë në pranga edhe dy të tjerë të shpallur në kërkim për vjedhje.
Burime policore bëjnë me dije se në bazë të një operacioni është arrestuar Jano Aliaj, 55 vjeç, banues në Brataj,Vlorë.
Aliajt i janë gjetur dhe sekuestruar nga policia në një depo pranë banesës tre thasë me material bimor në gjendje të thatë me lëndë narkotike kanabis sativa, me peshë 5 kilogram.
Ndërkohë efektivët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës së tyre për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë bërë të mundur kapjen e Ergent Allushaj, 28 vjeç, Elton Trimi, 23 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Për të dy këta persona Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, i ka dënuar për veprën penale "Vjedhja e kryer në bashkëpunim".
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme proceduriale. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





