Transmetuar më 15-11-2017, 16:40

Kur kanë kaluar 5 ditë nga aksidenti i frikshëm në aksin Lushnje- Berat që i mori jetën gazetares së emisionit “Stop” Erinolda Isufaj, prokuroria e Lushnjes zbardh të gjithë dinamikën e ngjarjes.

Sipas organit të akuzës janë tre shkaqet që çuan në aksidentin fatal, ku një masiv mermeri u shkëput nga një trajler dhe ra sipër makinës me të cilën udhëtonte gazetarja e ndjerë bashkë me prindërit dhe bashkëshortin.

Ato janë: tejkalimi i kufirit të shpejtësisë nga 40 që ishte e përcaktuar në 60 kilometra në orë nga drejtuesi i kamionit; manovrimi i drejtuesit të kamionit për të realizuar një parakalim që mbeti në tentativë për shkak të distancës së shkurtër, ç’ka solli në çekuilibrimin e ngarkesës që mbante blloqe mermeri dhe rrëzimin e njërit prej tyre në rrugë, duke u përplasur me autoveturen tip “Peugeot”, ku udhëtonin viktima dhe të plagosurit.

Një tjetër konstatim i grupit të hetimit, që është edhe më kryesori, është se blloqet e mermerit ishin të palidhur në karrocerinë e kamionit dhe ishin vendosur mbi disa kolona druri.

Vetë drejtuesi i kamionit, Bashkim Pula, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, nuk ka pranuar të japë shpjegime për këtë aksident, duke kërkuar një mbrojtës ligjor.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 11 nëntorit në aksin rrugor Lushnje- Berat kur një gur i madh mermeri ra nga kamioni dhe goditi makinën "Peugeot" ku udhëtonte gazetarja me prindërit dhe bashkëshortin.

Goditja ishte fatale për Erinolda Isufaj, ndërsa prindërit e saj Vitori e Shkëlqim Isufaj, si dhe bashkëshorti Marko Idrizi 29 vjeç janë jashtë rrezikut për jetën. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd