Transmetuar më 14-11-2017, 14:09

Kur kanë kaluar më shumë se 10 ditë që është raportuar i zhdukur, dalin detaje rrëqethëse për avokatin Besnik Muço.

Sipas disa burimeve mësohet se në tragetin ku ai kishte hipur për të shkuar në Itali, por që as nuk mbërriti, as nuk u bë më i gjallë prej asaj dite, janë gjetur xhupi, kartë qëndrimi italiane, çanta me sendet personale, ku binte në sy mungesa e pasaportës shqiptare të avokatit.

Sendet e gjetura në sallën e pritjes së tragetit, i ka sekuestruar Policia e Durrësit si provë materiale.

Prokuroria ka nisur hetimet për rrëmbim personi, pas denoncimit në Shqipëri të vëllait të avokatit Besnik Muço i cili ka mbi 10ditë që rezulton i zhdukur.

Më herët prokuroria e Barit kishte nisur hetimet pas denoncimit të bashkëshortes së tij që e priste në Itali. Organi i akuzës ka disa dyshime për zhdukjen e avokatit, që nga rrëmbimi i tij deri tek mbytja në det.

Për herë të fundit Muço kishte kontaktuar me bashkëshorten ku e njoftonte se po hipte në traget në Durrës për të shkuar tek ata në Itali. 54 vjeçari Muço kishte dokumente të rregullta qëndrimi në Itali, ku jetonte prej vitesh me bashkëshorten dhe fëmijët.

Kurse kohët e fundit ai kishte nisur punën si avokat i lirë në Tiranë. Në datën 2 nëntor, Besnik Muço rezulton të ketë kryer të dyja procedurat në portin e Durrësit si atë të check-in dhe regjistrimin në sistemin TIMS. Por ai nuk zbriti në portin e Barit.

Për të ndarë më shumë kohë më familjen ai udhëtonte të paktën dy herë në muaj nga porti i Durrësit në Bari për të shkuar në Macerata. /b.l/noa.al/