
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ka mbajtur një deklaratë për mediat, ku ka akuzuar kryeministrin Rama se po përdor buxhetin e vitit 2018 për të pastruar miliardat e drogës.
"Ekonomia po kriminalizohet. Trafikantë që blejnë biznese të ndershme. Krimi nga parcelat e kanabisit po zhvendoset në mes të shesheve të Tiranës dhe në të famshmin projekt 1 miliardë euro.
Pasi mbushi Shqipërinë me drogë, tani paratë e drogës do i pastrojë për veten e tij dhe miqtë e tij. Ky do të jetë një buxhet i rrënimit të shqiptarëve. Të vetmit që do të përfitojnë do të jenë baronët e drogës, sepse me këtë buxhet do të pastrohen paratë e drogës dhe oligarkëve”, u shpreh Basha.
Më tej Basha duke folur nga selia e PD deklaroi se krimi po zhvendoset në sistemin financiar dhe në fushën e ndërtimit.
“Një biznes i vogël që fërgon peshq buzë detit, nëse kalon xhiron prej 2 milionë lekë në vit duhet të paguajë TVSH. Klement Balilaj dhe Santa Quaranta, pra hotelet me 5 yje nuk do të paguajnë taksa për 10 vite dhe TVSH do ta kenë vetëm 6 %. Po ngrihen hotelet e drogës dhe po ngrihen me lejen e Edi Ramës”, tha Basha.
Lideri demokrat deklaroi se projekt buxheti i shtetit nuk do të votohet në parlament, dhe kjo është më e pakta që do të bëjë opozita. /b.l/noa.al/