Transmetuar më 13-11-2017, 09:21

Vajza e re e cila humbi jetën mbrëmjen e së dielës si pasojë e një aksidenti të ndodhur në tunelin e Kalimashit, ishte këngëtare e muzikës popullore.

Në rrugën e Kombit, në afërsi të tunelit të Kalimashit, doli nga rruga mjeti tip “Volkswagen” me targa AA 477JB, që drejtohej nga 29-vjeçarja Stela Gjoka.

Për pasojë  u plagosën drejtuesja e mjetit, 29 vjeçe, banuese në Mirditë, dhe 32-vjeçari R.F., banues në Ferizaj, Kosovë.

Të dëmtuarit u dërguan në spitalin e Kukësit, ku drejtuesja e mjetit për shkak të gjendjes së rëndë, ndërroi jetë në orët e vona të natës së lënë pas.

Por e reja mirditore njihej edhe si këngëtare e muzikës popullore. Këtë fakt e ka bërë të ditur gazetari Gjergj Marku, nëpërmjet një postimi të bërë në profilin e tij në Facebook.

“Në moshë fare të re, pas një aksidenti tragjik në dalje të tunelit të Thirrës në autostradë, ndërroi jetë këngëtarja Stela Gjoka. Mbaj mend që më kërkoi të vinte që nga Kosova për në “Mirdita Turistike 2017” me Prena Becin, sepse e donte shumë Mirditën dhe grupin artistik, sidomos kur ai performonte në Dasmën Turistike, ndaj atë dite korriku ajo ishte pjese e kangës së granisë ashtu e urtë, e qeshur dhe tejet korrekte”, shkruan Marku.

Ai publikon edhe fotografitë që gjeni në galeri, duke publikuar edhe pamjen e së ndjerës. /a.y/noa.al

Aksidentohen dy persona në tunelin e Kalimashit, humb jetën një vajzë e re