Transmetuar më 12-11-2017, 13:27

Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë arrest me burg ndaj gjyqtarit të gjykatës së Apelit, Shkëlqim Miri, i cili u arrestua të premten.

Shkëlqim Miri u ndalua për dyshimet e korrupsionit, ndërsa në banesën e tij u sekuestruan gjatë kontrollit me vendim gjykate, 174 mijë euro, mbi 10 milionë lekë dhe 1 mijë dollarë.

Ardian Visha, avokati i gjyqtarit Miri, në një dalje për mediat ka folur lidhur me vendimin e gjykatës, duke u shprehur se “ka mungesë relacioni logjik nga Prokuroria”.

Më tej ai shtoi: “Ka një dinamikë prej janarit deri në fund majit, pastaj ka një boshllëk nga karakteri hetimor, pastaj Prokuroria i kërkon gjykatës për të bërë kontroll në banesë. Është detyrë e prokurorisë që të provojë natyrën kriminale të parave të gjetura dhe t’i lidhë me veprën që atribuohet konkretisht”, – shtoi Visha.

Më tej avokati tha se gjykatësi kishte pagë të mirë dhe se të ardhurat duhen parë në kushtet e kapitalizmit dhe për më tepër, klienti ka vuajtur nga një tumor. 

“Ne kërkuam nga gjykata që të mos e lidhte çështjen e parave me çështjen: "Janë para të familjarëve të gjyqtarit dhe mund të përdoreshin për kurim. Klienti vuante nga një tumor në kokë, provuar kjo nga një spital në Tiranë dhe duhej kuruar”, shtoi Visha.

Gjyqtari Miri u ndalua gjatë operacionit policor të koduar "Një vrasje e dytë" me akuzat për "Korrupsion aktiv dhe pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë".

Miri ishte nën hetim nga prokuroria e Krimeve të Rënda prej të pakën 6 muajsh. Ai dyshohet se ka marrë një shumë parash për të lënë në fuqi vendimin e dënimit që favorizonte një të akuzuar për vrasje, Gentian Doda, të cilit i ishte ndryshuar akuza nga vrasje në plagosje e rëndë me dashje. /b.l/noa.al/