Transmetuar më 11-11-2017, 13:21

Kryetari i Partisë Demorkatike, ka vijuar edhe sot me denoncimet në adresë të Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Saimir Tahirit.

Në një njoftim për mediat, Lulzim Basha ka publikuar një mesazh nga një punonjës i Gardës, sipas tij, ku thuhet se janë vënë në lëvizje zyrtarë për zhdukjen e provave që e implokojnë Tahirin në trafikun e drogës.

“Zoti kryetar, një ditë pasi ju publikuat në FB denoncimin tim për praninë me orë të tëra të Saimir Tahirit dhe zonjës së tij në dy zyrat që Tahiri administron te Garda, kanë ndodhur dy ngjarje:

Të mërkurën me 8 nëntor në ora 12 në mesditë, ka mbërritur një grup drejtuesish të policisë dhe të gardës të cilët kanë kontrolluar zyrat.

Të nesërmen, ditën e enjte 9 nëntor, nga ora 9 deri në orën 12 zyrat janë boshatisur tërësisht nga bashkëpunëtorë të Sajmir Tahirit të ndihmuar nga punonjës të policisë dhe të Gardës. Tre automjete janë ngarkuar me kuti të mëdha të mbushura plot: një furgon i bardhë me targë MB 403 AA, një kamionçinë ushtarake me targë MB 019 AA, dhe një Golf 5 ngjyrë vishnje me targë AA 258 KS.

Pasi i boshatisën zyrat, i pastruan dhe ndryshuan dhe emërtimin në dyert e dy zyrave dhe u larguan.

E gjitha kjo ndodhi vetëm një ditë pasi ju publikuat denoncimin tim për ardhjen dhe qëndrimin disa orësh të Tahirit dhe të zonjës së tij në dy zyrat që Tahiri administron te Garda”, thuhet në deklaratë. /k.k/noa.al/