Transmetuar më 11-11-2017, 09:51

Në një dëgjesë publike me qytetarët e Dibrës, Kryeministri Edi Rama dha disa detaje rreth ndërtimit të Rrugës së Arbrit.

Kreu e qeverisë tha se kishte gjetur një kontratë me kosto financiare marramendëse, e cila ishte lidhur nga qeveria e kaluar me një kompani kineze.

Kjo kontratë, sipas tij, ishte e papërballueshme për buxhetin e shtetit, dhe parashikonte ndërtimin e më pak kilometrave.

Edi Rama tha se marrëveshja e re me kompaninë fituese, konsiston në ndërtimin e 40 kilometrave, dhe me një kosto financiare gati sa gjysma e asaj që ishte parashikuar më herët.

“Vërtetë u vonuam, pasi ne gjetëm një marrëveshje të bërë nga qeveria e mëparshme me sy mbyllur, me një kompani kineze për 17 km, dhe me një angazhim financiar marramendës për buxhetin, gjë për të cilën neguciuam dhe vendosëm që ta ndalojmë. Dhe sot, në projekt kemi 40 km, kemi lidhjen e Klosit dhe Burrelit me aksin.

Qytetarët e Klosit dhe Burrelit, të cilët për të shkuar në Tiranë sot duhet të përshkojnë afro 90 km, do të kenë një mundësi të re për të arritur në Tiranë me gjysmën e kohës dhe distancës. Nga ana tjetër, rruga ka një përmirësim në projekt, sa i përket lartësive, urave, dhe bëhet me gjysmën e kostos së parashikuar në atë idenë e vjetër që ishte një marrëzi”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se me nisjen e punimeve nuk do të ketë ndërprerje deri në përfundimin e plotë të projektit.

“Këtë muaj, ministri i Infrastrukturës po negocion kontratën financiare, dhe më në fund kantieri do të hapet dhe nuk do ndalojë më deri sa të ndërtohet tërësisht.

Zotimi ynë që kjo rrugë do ndërtohet brenda këtij mandati, është e garantuar”, tha kreu i qeverisë përpara qytetarëve dibranë. /k.k/noa.al/