Transmetuar më 11-11-2017, 09:12

Një person, i dyshuar si autor i dy ngjarjeve të rënda kriminale, është arrestuar nga policia e Matit.

37-vjeçari, Eltion Daçi, nga Burreli, dyshohet se është autor i dy ngjarjeve me lëndë shpërthyese të ndodhura në qytet, në një hark të shkurtër kohor. 

Kapja dhe ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat gjatë ditës së djeshme ka vendosur  caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest me burg “, për veprat penale të cituara.

Ky  person dyshohet të jetë autor i ngjarjes së datës 25 tetor 2017 ku është vendosur lëndë plasëse në oborrin e një mobilerie në qytetin e Burrelit, si dhe i ngjarjes së ndodhur në datë 4 nëntor 2017, ku është vendosur lëndë plasëse në shesh pushimin e pallatit në katin e katërt para banesës së kryetarit të bashkisë Mat.

Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për hetime të mëtejshme edhe për veprat penale "Shkatërrim i pronës me eksploziv", e "Mbajtje pa leje të lëndëve plasëse". /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd