Transmetuar më 09-11-2017, 19:34

Keni flokë të yndyrshëm? Me siguri ndiheni të bezdisur nga ndjesia e kokës së palarë. Ju kuptojmë fare mirë dhe na besoni, nuk jeni të vetmet!

Arsye të një shqetësimi të tillë mund të jenë çrregullimet hormonale, ushqimi i pashëndetshëm, ose zgjedhja e produkteve jo të përshtatshme. Nëse keni provuar shampo e maska të ndryshme dhe nuk keni pasur ende rezultat, disa këshilla të vogla mund t’ju vijnë në ndihmë. Problemet e jashtme luftohen më mirë nga brenda, mos e harroni, shkruan Bordo.al.

Së pari, përpiquni të evitoni ëmbëlsirat dhe pijet freskuese. Ushqimi i shëndetshëm ndikon shumë tek flokët. Konsumimi i produkteve bazë si perimet, drithërat dhe frutat është shumë i rëndësishëm. Mëma natyrë na e ka bërë gjithçka gati, ndaj pse të shkojmë te ushqimet e procesuara?

Evitoni ujin e nxehtë! Ai ndikon në rritjen e prodhimit të sasisë së yndyrës. Pastrojeni kokën tuaj me ujë të vakët. Në vend të furçës së flokëve zgjidhni një krehër të thjeshtë. Po kështu, do të ishte mirë të hiqnit dorë nga gërshetat dhe mbajtja e kapuçave dhe kapelave. Nëse përdorni tharësen, filloni të thani flokët tuaj nga majat në drejtim të rrënjës. Tharja natyrale është më e këshillueshme.

Shampoja ideale duhet të jetë pa silikon dhe me bazë bimore. Sugjerohen shampot me kamomil, rozmarinë ose livando. Përpiquni të përdorni maska me produktet shtëpiake. Ato kanë efekte të shkëlqyera dhe kushtojnë shumë pak.

Një recetë e thjeshtë për flokët e yndyrshëm është:

Një e verdhë veze

Një lugë çaji vaj arre

Një lugë çaji lëng limoni

Përziejini përbërësit dhe vendoseni maskën në flokët e larë më parë. Lëreni të veprojë rreth tridhjetë minuta dhe më pas shpëlajini flokët tuaj. Maska të tilla sugjerohen një herë në javë.