Transmetuar më 07-11-2017, 17:40

Në vijim të vizitës së tij në Itali, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori sot pjesë në edicionin e tretë të Samitit Ndërkombëtar të Qyteteve me temë “Të Bashkuar në Diversitet”.

Në fjalën e mbajtur në sesionin kushtuar dialogut urban, ku morën pjesë krerë bashkish nga disa vende të Mesdheut, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi si të domosdoshme bashkëpunimin mes qyteteve në përballimin e sfidave rajonale apo më të mëdha se sa ato që mund të prekin një qytet të caktuar, siç mund të jenë politikat mjedisore dhe ndryshimet klimaterike, si dhe zhvillimi ekonomik.

Veliaj bëri të ditur se në partneritet me Bashkinë e Firences do të krijohet një kompani e posaçme që do të merret me ndriçimin e Tiranës me teknologjinë më të fundit, si dhe të vendosjes së një sistemi kamerash sigurie që do të rrisnin sigurinë në rrugë dhe kontrollojnë trafikun.

“Do të vazhdojmë me Bashkinë e Firences projektet konkrete. Jemi në prag të krijimit të një kompanie të përbashkët për ndriçimin publik LED të qytetit, duhet të vendosim edhe një rrjet kamerash për të shtuar sigurinë rrugore, sigurisht edhe për të përballuar fluksin e trafikut që vjen çdo ditë në Tiranë, edhe nga rrethet e tjera, si pasojë e faktit që Tirana ofron shërbime për të gjithë territorin e Republikës dhe për të gjithë qytetarët”, tha ai.

Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të parashikojë në buxhetin e saj për vitin 2018 një fond të posaçëm që do të përdoret për flotën e biçikletave, por edhe për automjetet elektrike të transportit publik.

Kryebashkiaku njoftoi se shumë shpejt do të fillojnë konsultimet e buxhetit me banorët në të 24 njësitë, ndërsa u shpreh se ndër prioritetet e tij do të jenë zhvillimi i zonave periferike.

“Pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë me një fokus në zonat periferike të Tiranës, zona e Astirit dhe Unazës së Re, zona e Freskut, zona e Komunës së Parisit dhe e Farkës, për t’u siguruar që integrojmë si pjesën e qytetit që është brenda unazës, ashtu edhe pjesën e qytetit jashtë unazës”, u shpreh ai. /b.l/noa.al/