Transmetuar më 06-11-2017, 18:08

Presidenti Ilir Meta vizitoi sot, në 20 vjetorin e themelimit, Qendrën e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, një nga agjencitë më të njohura të shoqërisë civile, ku pati takime me aktivistë të saj si dhe drejtues të 15 organizatave jofitimprurëse në vend.

Presidenti Meta u njoh prej Drejtorit të Përgjithshëm të saj, z. Altin Hazizaj për veprimtarinë e Qendrës si dhe problemet që shqetësojnë fëmijët, përfshirjen e tyre në jetën social-kulturore si dhe rolin e komunitetit dhe individëve të zgjedhur në përmirësimin e jetës së tyre.

Presidenti, në bashkëbisedim të ngrohtë me grupin e aktivistëve shoqëror, tregoi interesim dhe përshëndeti rolin e shoqërisë civile në trajtimin e shumë fenomeneve që shqetësojnë vendin.

Ai i inkurajoi ata në përpjekjet e tyre kundër braktisjes së fëmijëve, dhunës në familje, varfërisë, shfaqjes së bulizmit në shkollat tona, përkujdesjes për fëmijët romë, izolimit të fëmijëve nga gjakmarrja, pamundësisë së arsimimit, përdorimit të fëmijëve në punë të vështira, etj.

Presidenti Meta u shpreh i bindur për një rol më aktiv të organizatave joqeveritare për emancipimin e shoqërisë, demokratizimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në vend. Ai duke iu drejtuar rrjetit të organizatave për të rinjtë vlerësoi lart vullnetarizmin, qytetarinë, komunikimin direkt të tyre me individët dhe grupet në nevojë.

“Shqipëria, – theksoi Presidenti, “ka më tepër nevojë për vlera shpirtërore, solidaritet komunitar si dhe për dashurinë dhe pasionin e qytetarëve të saj!”/b.l/noa.al/