Transmetuar më 06-11-2017, 17:42

Policia e Shtetit ka reaguar sërish pas akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me ndalimin e biznesmenit në Elbasan pak ditë më parë, të cilit iu gjet gjatë kontrollit mbi 800 mijë euro dhe dy patenta për drejtimin e mjeteve lundruese të ish-ministrit Saimir Tahiri.

Sipas akuzave të PD policia e mbajti të fshehtë ngjarjen, por Policia e Shtetit thotë se ka zbatuar ligjin dhe se PD po sulmon politikisht.

“Përsëri Partia Demokratike sot akuzoi për qëllimet e saj dhe pa asnjë bazë Policinë e Shtetit, lidhur me ndalimin e shtetasit. Policia e Shtetit është e detyruar të shprehë përsëri keqardhjen për këtë sulm politik, duke nënvizuar se ka bërë detyrën konform ligjit e të gjitha procedurave të kërkuara nga ligji. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme, siç është e qartë që shtetasin e ndaloi dhe e çoi për procedim penal, Policia e Shtetit jo akuzuesit e saj”, thuhet në deklaratë.

Më tej Policia e Shtetit ka shprehur edhe njëherë keqardhjen për përsëritjen e përditshme të akuzave që s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën dhe i bën thirrje Partisë Demokratike e të gjithë forcave politike, të mos bëjnë politikë duke përbaltur punën e uniformave blu.

“Policia e Shtetit ka goditur dhe do të godasë pa asnjë diferencim, çdo shkelje dhe shkelës të ligjit, pavarësisht përfshirjes së qëllimshme që politika i bën asaj në axhenda të cilat nuk kanë të bëjnë asgjëkundi me misionin e me punën e policisë.

Policia e Shtetit pret mbështetjen dhe solidaritetin e opozitës në luftën kundër krimit, korrupsionit e shkeljeve të çdo lloji, jo luftën politike kundër saj kur ajo kryen detyrën për të cilën është krijuar e për të cilën paguhet nga taksat e popullit shqiptar”, përfundon deklaratën policia. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd