Transmetuar më 06-11-2017, 13:33

Adelajda Xhamani, sot ka ditëlindjen, por fatkeqësisht ajo nuk është më këtu, për të parë urimet që i kanë bërë këtë 32-vjetor.

Në një ditë si kjo, dhimbja e familjarëve, të afërmve dhe miqve bëhet edhe më e madhe. Është stafi i redaksisë së revistës “Who”, ku Adelajda ka punuar si kryeredaktore për një kohë të gjatë, që i kanë bërë të parët një urim shumë prekës.

“Sot do të ishte ditëlindja jote Adela… Me siguri tani do të ishim duke të të uruar me brohorima në zyrën tënde, si çdoherë tjetër. Por ti s’je dhe ky i sotmi ishte "Happy Birthday" më i mekur që kemi kënduar.

I vetmi ngushëllim për ne, është se ti sot po feston me engjëjt… Të duam shumë Adela!”, shkruan revista duke njoftuar se do të rikthehen në punë nesër.

Gjithashtu nuk kishte se si të mungonte një urim dhe nga miku i saj më i mirë, Eraldo Rexho. Ai ka zgjedhur disa vargje në anglisht për t’i uruar ditëlindjen, engjëllit më të ri në parajsë. “Të kam zemër. Gëzuar ditëlindjen në Parajsë, engjëlli im”, shkruan Eraldo.

Adela Xhamani u nda nga jeta rreth një javë më parë nga një atak kardiak në shtëpinë e saj në moshën 31-vjeçare. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd