Transmetuar më 04-11-2017, 19:54

Ngjarja e Elbasanit ngre disa pikëpyetje të forta dhe që vënë në pozitë të vështirë, pikë së pari policinë.

Ajo vërtet publikoi një informacion, sigurisht vetëm pasi e denoncoi PD, por në deklaratën për shtyp ajo nuk flet për dy dokumentet e ish-ministrit të Brendshëm.

Gjithashtu, nëse është e vërtetë se policët kanë numëruar paratë, duke shtuar gjurmët, kjo do të thotë minimalisht prishje e provave.

Me qëllim apo jo, këtë duhet ta verifikojë Prokuroria.

E treta, përse Policia ka ndaluar personin në fjalë? A ka pasur të dhëna apo ka qenë rastësore? Nëse ka pasur të dhëna dhe sërish kryhen veprimet gabim, kjo e rëndon edhe më shumë punën e policisë.

Sigurisht që kjo ngjarje ka edhe pasoja politike. Kjo ndihet në faktin që ky erdhi si denoncim politik nga opozita, së cilës i besoi qytetari për të dhënë informacionin.

Por jo vetëm kaq.

Kur ende nuk ishte mbyllur zhurma politike e dosjes “Habilaj”, duke se ky kapitull i ri ku përmendet ish-ministri i Brendshëm vë në pozitë jokomode mazhorancën.

Së pari për mënyrën sesi policia menaxhoi ngjarjen, ajo lë perceptimin se mund të ketë qenë nën një trysni politike. E nëse në rastin “Habilaj” mazhoranca mund të argumentonte se bëhej fjalë për të shkuarën, rasti i Elbasanit implikon të tashmen, kur zoti Tahiri është prej javësh person nën hetim dhe mazhoranca formalisht u distancua prej tij.

Së dyti, nëse në rastin “Habilaj” të dhënat ndaj Tahirit janë deri tani të debatueshme, prania e dokumenteve personale të ish-ministrit të Brendshëm në makinën e një personi që kapet me 800 mijë euro të padeklaruara, dhe që në biznesin e tij ka vetëm rindërtim komisariatesh, i bën këto të dhëna shumë më shqetësuese sesa ato në rastin “Habilaj”.

Sakaq, drejtori i Policisë së Elbasanit doli për mediat për të sqaruar arrestimin dhe gjithë situatën e krijuar më pas.

Te dyshuarit iu gjetën në makinën që po udhëtonte, veç 800 mijë eurove të pashoqëruara me faturë, edhe dy leje drejtimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Altin Qato tha se policia nuk deklaroi gjetjen e dy patentave, pasi kjo nuk përbente vepër penale, por vetëm shuma e parave që u gjet me shkelje për shkak të mungesës së faturës.

“Në makinë janë gjetur dy leje drejtimit të ish-ministrit Tahiri. Ne nuk e bëmë publike gjetjen e patentave të ish-ministrit Tahiri, pasi nuk përbën vepër penale”, deklaroi Qato.

Kreu i policisë së Elbasanit deklaroi megjithatë se në materialet e referuara prokurorisë ishin edhe dy patentat e gjetura.

Drejtoria e Policisë së Elbasanit, kur publikoi të dhënat, pretendoi se më herët raportimi ishte bërë nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd