Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën “arrest me burg” për biznesmenin 25-vjeçar i cili nuk iu bind urdhrit të policisë, ndërsa në automjet iu gjetën 846 mijë euro dhe dy patenta në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për drejtimin e mjeteve lundruese.
Ditën e sotme 25 vjeçari i arrestuar në fshatin Balldre të Elbasanit pasi nuk i kishte ndaluar policisë ka dalë para Gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.
Gjykata e ka quajtur të vlefshëm arrestimin e tij duke e lënë atë në burg.I riu akuzohet për tre vepra penale: “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “fshehje të të ardhurave”. Mësohet se, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të rregullave të qarkullimit rrugor, i ishte hequr leja e drejtimit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, mësohet se Policia e Elbasanit, mbrëmjen e së mërkurës ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit, banues në Tiranë, administrator i një subjekti privat sh.p.k.
Policia thotë zyrtarisht se arrestimi i tij është bërë pasi më datë 1 nëntor, në rrugën nacionale, në fshatin Balldren, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin.
Ndërsa nga kontrolli në mjet, iu gjetën e bllokuan një sasi e madhe eurosh, i cili pretendonte se do t’i përdorte për likuidimin e faturave, por të pashoqëruara me dokumentin e origjinës.
Megjithatë, në njoftimin zyrtar Policia nuk e përmend shumën e eurove të sekuestruara dhe as patentat në emrin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





