



Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në një takim të veçantë homologun e tij, kryetarin e Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, vizitë të cilën e vlerësoi si një gur themeli në marrëdhëniet mes dy qyteteve, çka do t’i japë një shtysë të re realizimit të projekteve të përbashkëta.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se vizita e z. Aboutaleb është shenjë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe e një marrëdhënieje të re mes Tiranës dhe Roterdamit. Duke vlerësuar bashkëpunimin me Ambasadën e Hollandës në Tiranë për zbatimin e shumë projekteve të suksesshme, si ai për shtimin e korsive te biçikletave, Veliaj deklaroi se ka ende shumë për të mësuar prej eksperiencës hollandeze në fushën e urbanistikës.
“Kemi një grup të madh kompanish arkitekturore që bëjnë punë fantastike në qytetin e Tiranës, por besoj se kemi ende shumë për të mësuar në çështje të urbanistikës. Me ambasadën e Holandës kemi filluar rrjetin tonë të biçikletave, kemi gjithashtu shumë për të mësuar nga Roterdami dhe besoj që sot është fillimi i një marrëdhënie speciale me Bashkinë e Roterdamit”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se Roterdami është kthyer në një shtëpi të dytë për mjaft qytetarë nga Shqipëria, veçanërisht për të rinjtë të cilët studiojnë në universitetet më të mira hollandeze, për të kontribuar më pas në Shqipëri.
Kryetari i Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, vlerësoi transformimin që ka pësuar Tirana në një periudhë kaq të shkurtër. Ai theksoi se nëse Roterdamit i janë dashur 75 vite për t’u rindërtuar, ndërkohë Tirana me një buxhet disa herë më të vogël po ecën me ritme të shpejta drejt zhvillimit. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





