Transmetuar më 02-11-2017, 00:51

Stojkoviç apel tifozëve serbë: Mos i fyeni shqiptarët, atje na pritën si miq

Portieri i Partizanit të Beogradit, Vladimir Stojkoviç, ka dalë dje para mediave, enkas për t’u bërë apel tifozëve, veçanërisht grupimit të njohur “Grobari”.

Sipas portierit, nesër tifozët nuk duhet të bëjnë asnjë thirrje kundër shqiptarëve, shkruan Panoramasport.

 “Mesazhi është i qartë: ne duhet të organizojmë mbi të gjitha një ndeshje sa më normale. Duhet të vlerësojmë se si shqiptarët silleshin ndaj nesh në ndeshjen që luajtëm dy javë më parë.”

“Ne nuk kemi përjetuar asnjë moment të pakëndshëm në Shqipëri. Unë do t’u kërkoj të gjithë tifozëve të mbushin stadiumin dhe të mbështesin ekipin brenda normave. Nuk ka pse të na lëndoni, sepse Partizani është mbi të gjitha. Çdo mosbindje do të dënohet nga UEFA. Duhet të gëzohemi të gjithë bashkë për fitoren, por tifozët të jenë të përmbajtur. Nuk kanë punë me kundërshtarin. Jemi nën vëzhgim për këtë takim dhe rrezikojmë shumë”, theksoi portieri serb.