Transmetuar më 26-10-2017, 17:12

Kryetarja e lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një takim me krerët e LSI në rrethe ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe lidhjet e tij me drogën e krimin.

Në fjalën e saj ajo tha se qytetarët duhet të ngrihen dhe të marrin në dorë fatet e tyre, ndërsa theksoi se vendi është në pushtetin e oligarkëve.

"Kryeministri kujdeset vetëm për një grup oligarkësh të cilët janë pranë qeverisë. Kësaj qeverie nuk ja ndjen që me mijëra fëmijë shqiptarë i zë gjumi të uritur, sepse varfërinë e quan sëmundje dhe drogën ilaçin e saj.

Qytetarët meritojnë të ndjehen shqiptarë në vendin e tyre dhe jo të huaj. Të ngrihen në këmbë për të drejtat e tyre dhe të marrin në dorë frenat e vendit. Duhet t’i mobilizojmë shqiptarët, që zëri i tyre të dëgjohet, të fuqizojmë energjinë e tyre. LRI do ketë rolin kryesor për të zgjuar shpresën e qytetarëve”, u shpreh Kryemadhi.

Më tej ajo theksoi se LSI do të hapi dyert për të gjithë ata njerëz që besojnë në kauzën e LSI dhe për të gjithë ata persona që ndjehen të braktisur.

“Hapim dyert e LSI për këdo që beson në kauzën tonë, kushdo që ndjehet i braktisur, i varfëruar, për t’ia dalë në këtë betejë që nuk është e lehtë me krimin dhe bandat. LSI do jetë krahëhapur për mendimin intelektual, botën akademike, trurin e vendit të cilët duhet të angazhohen në politikën e vendit, sepse ndryshe histopria do t’i akuzojë për apatizëm.

Djalli mbizotëron kur njerëzit e mirë heshtin dhe nuk bëjnë asgjë. Duhet të marrim një vendim përfundimtar për të vepruar, ose t’ia lëmë vendin në dorë këtij djalli…", tha Kryemadhi. /b.l/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd