
Ka nisur seanca e Kuvendit ku do të votohet për imunitetin e ish-ministrit dhe deputetit Saimir Tahiri. Deputetët do të votojnë sot dy raporte atë të mazhorancës dhe të opozitës. Socialistët kërkojnë që Tahirit mos i hiqet imuniteti, kurse opozita jep OK për kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ish ministri i Brendshëm të arrestohet.
Në nisje të seancës e ka marrë fjalën deputeti Tahiri i cili u shpreh se mirëpret çdo vendim të marrë në Kuvend, ndërsa shtoi se rruga e tij për të gjetur drejtësinë nuk ndalet.
“Mirëpres çdo vendim tuajin. Cilido qoftë vendimi, rruga ime për të gjetur drejtësinë nuk ndalet”, u shpreh Tahiri.
Ndërkohë që ai fliste nga foltorja e Kuvendit, deputetët e Partisë Demokratike mbushën tavolinat e tyre me pankartat: “Qeveria e drogës, qeveria e krimit”.
Më herët, para nisjes së seancës kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
***
Deputetët e Kuvendit do të votojnë për dy raporte të cilat u hartuan nga shumica parlamentare dhe nga opozita, pas debateve dhe diskutimeve në Këshillin e Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit.
Raporti i parë i hartuar nga mazhoranca kërkon hetimin e plotë dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit por jo arrestimin, ndërsa opozita, PD-LSI, kërkon arrestimin e Tahirit. /b.l/noa.al/