Transmetuar më 20-10-2017, 08:59

Një tjetër sasi e madhe droge u kap nga Guardia Di Finanza në Itali.

Ushtarët në bordin e një avioni Air Force One në hapësirën ajrore të Barit kanë bërë të mundur identifikimin dhe bllokimin në det të një gomone 10 metra të gjatë me motorë të fuqishëm me ngarkesë prej 1.5 ton marijuanë, ndërsa në pranga janë vënë dy shtetas shqiptarë.

Sipas mediave italiane, operacioni është zhvilluar të mërkurën rreth orës 14:00, kur Guardia Di Finanza ka pikasur një mjet lundrues që po ecte me shpejtësi.

Policia është vënë në ndjekje të skafit dhe në pranga u vunë dy skafisët shqiptarë V.L 31 vjeç dhe T.N 26 vjeç, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike.

Marijuana ishte e ndarë në 64 pako me peshë totale 1505.30 kg, e cila nëse do të hidhej në tregun e pakicës do të kapte vlerën e 15 milionë eurove.

Sipas Guardia Di Finanza që nga fillimi 2017 janë sekuestruar më shumë se 32 ton marijuanë e transportuar nga deti, janë arrestuar 47 kontrabandistë dhe janë sekuestruar 24 mjete lundruese. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd