Transmetuar më 18-10-2017, 15:16

Drejtues apo efektive të policisë shqiptare, që kanë mbështetur dhe favorizuar grupin e Habilajve për trafikun e drogës, po hetohen dhe ndër ta mund të ketë edhe arrestime.

Për familjen Habilaj në Vlorë dhe të afërmit e tyre ka nisur hetimi pasuror mbi bazën e ligjit antimafia. 

Reth 30 persona, punonjës në Policinë e Shtetit, për të cilët ka të dhëna se kanë bashkëpunuar me grupin kriminal të Habilajve në trafikun e drogës, apo që kanë favorizuar këtë grup janë pjesë e hetimit për këtë çështje nga autoritetet shqiptare.

Lajmi behet i ditur nga burime të ‘Abc news’, sipas te cilave shumë shpejt mund të ketë edhe arrestime. Mësohet se këta emra janë evidentuar nga autoritetet italiane të hetimit dhe i janë përcjellë palës shqiptare. Burimet saktësojnë se mes këtyre emrave ka drejtues të lartë në policinë e Vlorës, atë të Fierit, të Delta Forcë dhe të policisë kufitare në Portin e Vlorës.

Bëhet fjalë për persona që kanë drejtuar në këto sektorë që nga viti 2013 dhe deri pak ditv më parë kur autoritetet italiane mbyllën hetimet paraprake për grupin e drejtuar nga Moisi Habilaj kryen arrestimet.

Përgjimi i Moisi Habilaj dhe pjesës tjetër të grupit, të arrestuar pak ditë më parë me urdhër të prokurorisë së Katanias, kishte nisur paralelisht në të dy shtetet, Italian dhe atë shqiptar, por në të dy rastet nga pala italiane.

Një pjesë e këtyre përgjimeve të cilat ndodhen në dosjen voluminoze prej 416 faqesh, të hetimit nga autoritete italaine, ishin realizuar edhe në qytetin e Vlorës.

Pala italiane ka qenë totalisht kundër që survejimet, përgjimet dhe filmimet ti kryenin homologët e tyre shqiptarë. Ky vendim ishte marrë pasi, autoritetet përtej Adriatikut i frikësoheshin një dekonspirimi të mundshëm që mund të bënin drejtues të caktuar të Policisë së Shtetit. Rasti konkret lidhet me Moisi Habilaj ku, në përgjimet e bisedave të tij me Sabaudin Çelaj përmendet edhe Ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri, si ai afërm i Habilajve. Burime nga grupi hetimor saktësojnë se, autoritetet italiane kanë përgjuar për më shumë se një vit në territorin shqiptar, ku kishin dërguar oficerë të Interforcës. Sipas dosjes që përmban dhe këto përgjime në 14 tetor të 2013, Moisi Habilaj ishte përgjuar në afër banesës së tij në qytetin bregdetar.

Moisiu flet me zë të ulët me një shtetase me emrin Romina dhe biseda ishte regjistruar gjatë kohës kur ata po bënin xhiro afër spitalit të qytetit të Vlorës. Ndërsa një tjetër përgjim ishte kryer një ditë më vonë ndërmjet Maridian Sulaj dhe Sabaudin Çelaj.

Ata flasin me mesazhe ndërmjet tyre, teksa përgjimet janë kryer përsëri në territorin shqiptar.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror ndaj vëllezërve Habilaj në Vlorë dhe rrethit të tyre familjar, në bazë të ligjit Antimafia.

Po sipas burimeve, hetimi pasuror nisi pas arrestimit në Itali të Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorëve të tjerë në trafikun e drogës. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd