



Deputetja demokrate Albana Vokshi ka treguar për herë të parë si nisi historia e epitetit ‘Pamela’ që i vendosi Kryeministri Edi Rama.
Këtë cilësim të Ramës, Vokshi e ka cilësuar si një truk intrigant të Kryeministrit për të shkëputur vëmendjen nga ngjarjet e vërteta.
Vokshi tha për ‘News 24’ se krahasimi me aktoren e famshme bionde Pamela Anderson ka qenë në kohën kur opozita denonconte përmbytjet.
“Ishte koha kur ishim duke denoncuar përmbytjet… isha në zonat e përmbytura me kolegët e mi demokratë. Rama e ka shumë të theksuar për të nënvlerësuar atë që bëjnë të tjerët, për të anashkaluar atë që bëjnë të tjerët. E tha që të tejkalonte problematikën që po haste me shpalljen ose jo të emergjencës ndaj përmbytjeve.
Pamelën e ka përmendur në momente të veçanta, kur denoncoja për Shëndetësinë, për ‘check-up’, dializën, për mungesën e barnave në spitale, etj. Pra për të hequr vëmendjen nga unë e anëtarët e PD, denoncimet e kërkesat e llogarisë. Njerëzit harrojnë problemet, se merren me batuta. Ky ka qenë qëllimi i tij.
Një pjesë e madhe e medias është e kontrolluar prej tij. Ata përçonin ‘Pamelën’… mereshin me batuta. Trike prej intriganti”, tha Vokshi.
Po përse ‘Pamela’?
“Si pjesë e përmbytjeve, që kisha shkuar të shpëtoja njerëzit”, sqaron Vokshi.