Transmetuar më 17-10-2017, 20:38

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Petrit Vasili kanë pranuar ftesën e kryedemokratit Lulzim Basha për një takim në selinë blu.

Ka zgjatur rreth 45 minuta takimi mes kreut të Partisë Demokratik dhe kryetares së LSI, raporton noa.al.

Takimi u mbajt me dyer të mbyllura, në selinë e Partisë Demokratike ku theksi i bisedës ka qenë te qasja e opozitës pas akuzave ndaj mazhorancës si të lidhur me krimin.

Takimi mes dy forcave opozitare, PD dhe LSI erdhi pas thirrjes së Bashës për një tyrezë dialogu për t’iu përgjigjur me një aksion politik luftës kundër krimit.

Kryemadhi tha se situata kriminale është më e rënda që ka pasur vendi dhe se çdo qytetar ndihet i rrezikuar.

Kryetarja e LSI-së sulmoi edhe kryeministrin Rama duke e akuzuar se ka kompromentuar policinë dhe se hallka që lidh Ramën me krimin është Tahiri.

“Krimi është ulur këmbëkryq në Shqipëri dhe situata është nga më të rëndat që ka përjetuar vendi. Çdo shqiptar ndihet sot më i shumë se i rrezikuar. Shteti i kryeministrit Rama ka kompromentuar rolin e policisë. Përpara këtij momenti shumë të vështirë, të gjithë qytetarët janë bashkë’, – tha zonja Kryemadhi.

Kurse shtoi: “LSI është pjesë e frontit kundër bandave dhe krimit. Saimir Tahiri është një nga hallkat që lidh Edi Ramën me krimin, por ka edhe shumë hallka të tjera. Janë hallkat e trafikantëve, por edhe oligarkëve që me bekimin e Ramës pastrojnë paratë.

Mund të ketë pika që e ndajnë PD me LSI, por çështja që na bashkon në një front të vetëm është më e fortë se çdo ndasi që kemi mes nesh. Bashkëpunimi politik është një detyrë që na e kanë ngarkuar qytetarët me votën e tyre.

Këtë ne do ta bëjmë në emër të së ardhmes. Atdheu është i përbashkët dhe është shumë i rrezikuar. Koha nuk pret ndaj duhet të mblidhemi së bashku. Mbështes qëndrimin e Bashës për një tryezë të gjerë politike që do t’i përgjigjet me aksion intensiv bandave në pushtet”.

Bashkëpunimi dhe takimi i zhvilluar PD-LSI vjen si shkas i ngjarjeve të fundit të grupit të Moisi Habilajt dhe emrit të përmendur të ish-ministrit Saimir Tahiri në përfshirjen me këtë bandë.

Më herët, Basha dhe Kryemadhi patën edhe një deklaratë për mediat, në selitë respektive, për dosjen “Habilaj”, dhe përfshirjen sipas tyre në trafikun e drogës, të ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Në fund të fjalës së tij Basha tha se është emergjencë për thirrjen e një tryëeze të madhe opozitare, artikulim ky që mori mbështetjen e numrin 1 të LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kohët e fundit është folur shpesh për bashkëpunimin e dy partive opozitare, ndërsa kjo është mbështetur edhe nga dy kryetarët, edhe pse jo në mënyrë direkte. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd