
Një person i shumëkërkuar, i dënuar për vrasje është ekstraduar drejt vendit tonë. Pasditen e së premtes, u bë ekstradimi nga Zvicra i 44-vjeçarit Arben Mlloja, banues në fshatin Bërdicë të Shkodrës.
Ndalimi i tij u bë nga autoritetet zvicerane, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.
Ndaj tij Gjykata e Apelit Shkodër në tetor të vitit 2013, e ka dënuar me 20 vite burg për veprën penale të “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentative” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve”.
Mlloja iu dorëzua autoriteteve shqiptare në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që tashmë pritet të vuajë dënimin.
Arben Mlloja u dënua pasi në 19 janar 2011, rreth orës 14.00, në ambientet e bar restorant “Bexhistani”, në Shkodër, qëlloi me armë zjarri dhe plagosi shtetasin Zamir S., ndërkohë që kishte si qëllim të vriste një person tjetër, i cili ndodhej në tavolinën ngjitur. /a.y/noa.al