Transmetuar më 13-10-2017, 16:49

Kryeministri i vendit Edi Rama ka publikuar pasditen e sotme vendimet e marra nga qeveria në mbledhjen e kësaj të premte në qytetin e Vlorës. Nga vendimet e rëndësishme të kësaj mbledhje ka qenë shpallja e Kaninës zonë e mbrojtur.

“Në mbledhjen sapo mbyllur të qeverisë një ndër vendimet e qeverisë ishte shpallja e Kaninës zonë e mbrojtur. U miratua dhe rregullorja e administrimit të saj dhe sigurisht do të pasojë dhe një program i financuar për rilindjen e të gjithë këtij fshati të mrekullueshëm dhe për sistemimin e gjithë asaj zonë që tashmë është zonë e mbrojtur e trashëgimisë tonë kulturore”, u shpreh Rama.

Rama paralajmëroi se qëndrimi dy ditor në Vlorë hap siparin e një seri takimesh në të gjitha qarqet e vendit. “Kjo është vizita e parë pune e qeverisë në një territor.

Në çdo muaj qeveria do të zbresë në një territor për të qenë pranë njerëzve dhe jo thjesht për të bërë mbledhjen e saj të radhës me një tematikë specifike për qarkun përkatës por për të ndarë me njerëzit, përfaqësuesit e grupeve të ndryshme të interesit, për të diskutuar me drejtues dhe administratorë lidhur me ecurinë e punëve tona të përbashkëta.

Po ashtu kemi miratuar një tjetër proces që detyron për çdo muaj anëtarët e ekipit qeveritar dhe ekipet e tyre që të vizitojnë dhe të shohin nga afër për punët në sektorin e tyre në një qark të Shqipërisë”, tha Rama.

Qeveria ka miratuar edhe disa vendime të tjera të rëndësishme kryesisht financime në infrastrukturë urbane. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd