Policia e Lushnjes jep detaje të reja për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen që ndodhi gjatë pasdites së sotme.
Sipas Policisë, vrasja ka ndodhur në lagjen "Loni Dhamo", në vendin e quajtur "Ura e Përroit", ku persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr dhe kanë qëlluar me armë zjarri automatik.
Si pasojë kanë mbetur të vdekur 2 persona, ndërsa një tjetër i plagosur rëndë.
Gjitashtu bëhet e ditur se një tjetër person ka marrë dëmtim të lehtë, i cili ndodhet në Spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve pa probleme për jetën.
Dy shënjestrat e atentatit po qëndronin pranë një lokali të frekuentuar prej tyre çdo ditë ne lagjen “Loni Dhamo” në vendin e quajtur Ura e Çeleve.
Viktimat janë Zamir Latifi 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha 22 vjeç, banues në lagjen "Loni Dhamo", Lushnje.
Personi i plagosur rëndë është Marius Xhepexhiu 26 vjeç, banues në lagjen "Loni Dhamo", i cili po transportohet për në Tiranë.
Gjithashtu ka marrë dëmtim të lehtë shtetasi Bujar Turku, 66 vjeç.
Nga hyrja e qytetit ka ardhur mjeti ku ndodhej një person me maskë dhe me kallashnikov në dorë, i cili ka qëlluar me breshëri duke i vrarë në vend dy të rinjtë.
Ndërkaq në Sallën Operative Lushnje ka mbërritur një telefonatë se në aksin rrugor Lushnje-Berat, po digjet një mjet.
Grupi hetimor ka shkuar menjëherë ku ka gjetur në automjet tre arme zjarri automatike.
Automjeti dyshohet se mund të jetë i autorëve.
Eshtë ngritur grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje./a.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd