Transmetuar më 10-10-2017, 10:59

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahemtaj, në një komunikim me gazetarët ditën e sotme, deklaroi se sfida kryesore e qeverisë së sapo krijuar mbetet punësimi.

Ai bëri me dije se rritja ekonomike në tremujorin e dytë është 4.06%.

“Ka rritje të punësimit dhe të investimeve të huaja. Rënia e papunësisë vazhdon që nga 2014 të jetë në konstante në një nivel 13.9%. Sfida e punësimit është një nga kryesoret e qeverisë Rama 2. Nuk ka arsye për të qenë të kënaqur me shifrën, ne do ta zbresim përmes zgjerimit të punësimit”, u shpreh ministri.

Ai shtoi se kjo shifër synohet që të bëhet njëshifrore.

Ahmetaj tha se është koha për t’u fokusuar tek investimet për shërbimet prodhuese dhe për turizmin.

Lidhur me borxhin, ministri u shpreh se ky është viti i dytë që do të mbyllet me bilanc pozitiv.

“Kemi rritje të eksporteve me 12.9 për qind. Interesante janë eksportet që rriten në mënyrë konstante, pa përfshirë mineralet dhe energjinë. Sfida jonë tani është zgjerimi i gamës së eksporteve”, deklaroi Ahmetaj. /a.y/noa.al