Transmetuar më 03-10-2017, 17:41

Tirana zyrtare duket se është me këmbë në tokë, pasi e pranon hapur se ajo nuk pret që të ketë çelje negociatash në muajt e mbetur të vitit në vazhdim.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane si dhe Ministër i Emigracionit dhe i Azilit të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn.    Bushati kërkoi nga homologu luksemburgas mbështetje për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ai e njohu homologun e tij me hapat konkretë të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e reformave në përmbushje të prioriteteve të anëtarësimit, veçanërisht me reformën në sistemin e drejtësisë, e cila prek secilin prej prioriteteve, dhe mbi të gjitha jetën e çdo qytetari shqiptar.

“Shqipëria i është mirënjohëse Luksemburgut për mbështetjen që i ka dhënë në procesin e integrimit evropian që nga marrja e statusit e deri përgjatë procesit të vështirë të reformave të cilat shpresojmë që brenda një kohë të shkurtër do të na mundësojnë hapjen e negociatave për anëtarësim” – tha z. Bushati.

Gjatë konferencës për shtyp, e cila vijoi takimin dypalësh, ministri Asselborn e vuri theksin në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kohëve të fundit në hapësirën e BE-së, duke iu referuar në mënyrë të veçantë ngjarjeve në Spanjë, zgjedhjeve në Gjermani dhe Brexit, dhe në të njëjtën kohë nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në vitin 2009 Shqipëria prezantoi kërkesën e saj për anëtarësim, më 2014 mori statusin e vendit kandidat dhe viti 2018 mund të jetë një vit shumë i mirë për hapjen e negociatave. Mundësitë janë shumë të mëdha dhe Luksemburgu do të vijojë ta mbështesë atë në këtë proces”, – tha ministri Asselborn. /noa.al/