Transmetuar më 12-09-2017, 09:39

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi prerë sot nga Kuvendi, se marrëveshja e 18 majit mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama ka vdekur.

“Thelbi i marrëveshjes së 18 majit ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Basha gjatë seancës parlamentare, ku po diskutohet programi qeverisës i katër viteve të ardhshme.

Ai tha se aleanca e pandërprerë e Ramës me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen.

Sipas tij, zgjedhjet rikonfirmuan problemin numër një të Shqipërisë, vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të Shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës.

“Nuk ka degë ulliri për paqe mes nesh. Ajo që ti tund këtu është një degë e tharë e kanabisit që ka bllokuar integrimin, shkatërruar ekonominë dhe asgjësuar Shqipërinë. Që të bëhesh konkurrenti im është e vështirë, e pamundur. Duhet të lesh krimin dhe të përqafosh vlerat. Duhet të shkarkosh Ruçin, duhet të arrestosh vëllanë e Fatmir Xhafës. Duhet ta shkarkosh Xhafën për lidhjet e tij me krimin. Duhet të arrestosh trafikantët. Duhet të heqësh kryetarët kriminalë të krimeve. Duhet të rikthesh banditët në burg. E bën dot ti këtë?”, deklaroi Basha.

Ai tha më tej se Rama dhe ai nuk janë konkurrentë, pasi sipas tij, Kryeministri ka zgjedhur aleancën me krimin.

“Në këtë betejë unë dhe PD jemi me njerëzit, ne jemi kundër teje, ne do të luftojmë kundër teje. Unë nuk kam zgjedhur të jem këtu për të ardhmen e familjes time. Sa më të pasur të bëhen politikanët aq më të varfër do të jenë shqiptarët”, u shpreh ai.

Sipas tij, “Rama 1” e mbushi vendin me drogë, e mbushi parlamentin me kriminelë dhe as kjo nuk mbulohet.

Ai deklaroi prerë se Partia Demokratike do të jetë opozita ballore pa kompromis ndaj kësaj opozite ilegjitime, “Ne do t’ia kthejmë pushtetin qytetarëve”. /a.y/noa.al