Transmetuar më 04-09-2017, 07:59

Fadil Kasemi, 53-vjeçari i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares së Shkodrës, Fildes Hafizi, ka pranuar krimin.

Ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi këtë të diel ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, ai pranoi autorësinë e vrasjes, por nuk shfaqi pendesë.

Megjithatë mes akuzave për vrasje, rrëmbim personi dhe armëmbajtje pa leje. ai ka mohuar njërën prej tyre.

“Vrasjen dhe armëmbajtjen i pranoj, por rrëmbimin jo, pasi u dorëzova vetë”, u shpreh Kasemi, duke mohuar të ketë marrë peng Klodian Tafën.

Duke rindërtuar ngjarjen Prokuroria bëri të ditur se se më datë 31 gusht 2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, në kohën që shtetasja Fildese Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohësisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga parukeria “S…..” dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë, ‘Benz’ me targa AA 880 OS, në këtë kohë është afruar ish bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildese Hafizi, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas Kasemi me pistoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës Bardhyl, automjetit furgon ‘Benz Mercedez’, me targa XXXX, që drejtohej nga shtetasi Klodian Tafa, të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes duke hipur brenda në automjet.

Gjatë udhëtimit Tafa, ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë. Në kohën që i është afruar komisariatit Tafa., e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e komisariatit të policisë ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të Fadil Kasemit duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd